Partia Socialdemokrate mbështet protestën e organizuar sot nga Sindikata e KEDS, duke theksuar veçanërisht kërkesat e drejta të punëtorëve sindikalistë : rritje të pagave dhe zbatim të kontratës kolektive.
Rritja e pagave që kërkojnë ata është minimumi i kthimit për kontributin që japin me mendjen dhe djersën e tyre.
Kur flasim për pagat e ulëta të punëtorëve, mungesën e investimeve në rrjet dhe çmimin e lartë të energjisë, gjejmë shpjegimin për fitimet milionëshe, që derdhen çdo ditë në llogaritë e kompanisë “Limak-Çalik”.
Zyra e Rregullatorit, më parë se sa ruajtëse dhe mbrojtëse e interesit publik në fushën e energjisë, ka shërbyer si çertifikuese për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pra, për rritjen e profitit për kompaninë “Limak-Çalik”. E njëjta, në mënyrë indirekte rekomandon heqjen e punëtorëve nga puna kur kërkon masa shtrënguese buxhetore.
Në Kosovë, ligjshmëria gjen zbatim selektiv. Ligjet e dëmshme zbatohen në mënyrë rigoroze, kurse ato të drejta që u garantohen punëtorëve me Ligjin e Punës shkelen vazhdimisht, ndërkohë që Kontrata Kolektive nuk zbatohet fare. KEDS madje ka shkuar më tej, ai nuk do të dijë për zbatimin e vendimeve të gjykatave, kur ato urdhërojnë kthimin e punëtorëve në vendet e punës. Heqja e punëtorëve nga puna, moszbatimi i kontratave janë bërë dukuri të zakonshme, pikërisht sepse shteti dhe institucionet nuk janë në anën e punëtorëve.
Partia Socialdemokrate shpreh solidaritet dhe gatishmëri për mbështetje ndaj secilës përpjekje e kërkesë për barazi. Jemi veçanërisht të inkurajuar me përpjekjet për unifikimin e sektorëve të ndryshëm sindikalë – kësaj herë në protestë.