Përmes këtij aksioni politik duam t’i denoncojmë ndryshimet legjislative mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës që u votuan dje në lexim të dytë nga deputetët e pushtetit. Me këto ndryshime legjislative, vendimmarrja mbi çështje të rëndësishme të këtij Këshilli (votimi për Kryeprokurorin e Shtetit, Kryeprokurorët e Prokurorive dhe çështjet disiplinore) do jetë e kushtëzuar nga vullneti politik, përkatësisht nga vota e anëtarëve jo-prokurorë të këtij organi. Amandamenti 9 i dorëzuar në lexim të dytë e vulos ndikimin e anëtarëve jo-prokurorë kundrejt atyre që vijnë nga sistemi prokurorial.
Mos të harrojmë se këto ndryshime legjislative deri më tani janë ballafaquar me vërejtje serioze, nga Komisioni i Venecias, por edhe nga shoqëria civile. Të gjitha këto vërejtje kanë një emërues të pëbashkët – shqetësimin mbi kontrollin politik të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për fatin tonë të keq, këto shqetësime nga dje, u bënë realitet.
Tash ky Këshill shumë shpejt do jetë nën kontrollin politik të pushtetit të Kurtit. Ky cënim kaq serioz i pavarësisë së sistemit prokurorial do zhvillohet vetëm në dëm të të drejtave fundamentale të njeriut, e në shërbim të pushtetit “Krejt dhe Drejt”.
Sigurisht, organet e sistemit të drejtësisë vuajnë nga shumë probleme e parregullësi, por politizimi i tyre nuk është mënyrë për t’i adresuar këto probleme. Veçanërisht shqetësuese bëhet situata kur flitet për organin e akuzës. Kapja e sistemit prokurorial do t’ia mundësojë pushtetit arrestimet spektakolare dhe damkosjen e njerëzve duke i shpallur fajtor pa vendim meritor të gjykatës.
Politizimi i organit të akuzës shkon përkundër prezumimit të pafajësisë dhe parimit të legalitetit. Ky fenomen duhet të jetë shqetësim publik, dhe jo thjesht punë e profesionistëve.