Dritaret e kësaj qeverie i ngjyrosëm me të zezë sepse ajo çfarë ka brenda nuk shihet jashtë. Dialog jodemokratik e jotransparent. Dialog i mbyllur. Qeveri që mirëmbanë terr informativ për qytetarët e mediat. Nuk njeh Kosova situatë të tillë, që nga paslufta. Ndërtesa e qeverisë është bërë hapësirë e bunkerizuar që ikë nga publiku.
Jemi në dijeni që prej vitit të kaluar e deri më sot Kurti e Bislimi kanë qenë pjesëmarrës në dialog të fshehtë në Bruksel. Kulminacioni i këtij dialogimi është propozimi franko-gjerman. Publiku asnjëherë nuk u njoftua për përmbajtjen e këtij propozimi përmes kanaleve zyrtare të qeverisë. E pastaj na thonë pse po spekuloni mbi spekulime. Atëherë po komentojmë mbi këtë terr informativ në të cilin është vendosur qytetari.
Prej kur jemi njoftuar si publik për ekzistimin e një plani të tillë, gjithmonë përmes mediave, deklarimet e zyrtarëve të qeverisë kanë qenë të paqarta e kontradiktore. Në fillim, ja mohuan ekzistencën. Kur kjo u bë e pamundur, thanë që ky propozim i shkon për shtati më shumë Serbisë se Kosovës. E tek dje, tërthorazi, Kurti e deklaroi për herë të parë që ky plan nuk është refuzuar.
Të gjitha këto përgjigje të dhëna gjatë gjithë kësaj periudhe janë përcjellur me linçime për opozitën e mediat, me shpallje armiqësh. E pse e tërë kjo? Për të maskuar një marrëveshje të dëmshme dhe pa njohje të ndërsjellë që do të garantonte paqe të përhershme?
Thirrja jonë është e qartë: Dialogu duhet të jetë i hapur, gjithëpërfshirës e transparent. Rezultati i tij duhet të sjellë marrëveshje përfundimtare me njohje e paqe.