free hit counter Kundër frikës dhe paragjykimeve, në solidaritet me komunitetin LGBTQI - PSD

Frika hiqet vetëm kur fillon të përballesh me të. Vetëm kur ajo gjëja misterioze dhe e rrezikshme të shfaqet dhe fillon ta njohësh. Atëherë e kupton se frika paska ardhur nga vetë frika dhe jo nga ajo gjëja…

Një pjesë e madhe e shoqërisë pjesëtarët e komunitetit LGBTQI i sheh si njerëz të llastuar e të përdalë, ca fëmijë nga qyteti që bëjnë gjeste sa për vëmendje. Secili duhet ta dijë se në një vend si Kosova ky lloj “llastimi” kushton shtrenjtë. Kushton linçim publik, sulme në rrugë e dëbim prej familjes. Askush s’do ta zgjidhte për qef një jetë të tillë. Vërtet shumë kulturë ka prodhuar shtypja e seksit, por dinamikat e seksualitetit zor se mund të vendosen aq lehtë racionalisht nga trendet sezonale të kulturës. Pjesëtarët e këtij komuniteti nuk janë vetëm në Prishtinë dhe nuk i gjen vetëm në disa mjedise të identifikuara. Ata janë edhe nëpër fshatrat më të thella të fshehur e të përvuajtur, bëjnë edhe punë ndërtimi e bujqësie. Mund të jesh homoseksual edhe nga Llapi, Drenica ose Dukagjini.

 

Në kushtet e një shoqërie të lirë e të drejtë, mund të ishim indiferent mbi orientimet seksuale të njerëzve. Por, në Kosovë, komuniteti LGBTQI bën jetë pothuajse ilegale thjesht sepse ka qëlluar të jenë ndryshe nga normat shoqërore e juridike. Komuniteti LGBTQI duhet të pranohet si pjesë normale e shoqërisë, me të gjitha liritë dhe të drejtat që iu takojnë. Ky është kuptimi i javës së krenarisë, prandaj jemi në mbështetje të organizimit.