free hit counter Kuvendi të bartë procesin e dialogut, opozita ta mbikqyrë - PSD

Në takimin për media të mbajtur sot (03 korrik, 2018) në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, nënkryetarë dhe deputetë të PSD e sqaruan pozicionin e këtij subjekti parlamentar rreth të ashtuquajturës ‘fazë finale’ në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

PSD konsideron se para diskutimeve të panevojshme rreth formimit dhe përbërjes së të ashtuquajturit ‘Grup i Unitetit’ që do ta përfaqësonte shtetin tonë në këtë proces me rëndësi për vendin – duhet të përmbushen katër parakushtet e domosdoshme për çfarëdo procesi kuptimplotë negociator. PSD konsideron se fillimisht duhet të përcaktohen dhe të saktësohen katër shtylla që e përkufizojnë përmbajtjen dhe qëllimin e një procesi të tillë:

1. Legjitimiteti: Kuvendi, forumi i vetëm i prodhimit të tij

• PSD konsideron se të gjitha partitë politike parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të dakordohen që përgjegjësia fundamentale për mbarëvajtjen e procesit të dialogut t’i takojë Kuvendit të Republikës, si organi më i lartë legjislativ e vendimmarrës i Republikës;

2. Strategjia: Qartësimi i Parimeve Negociuese dhe hartimi i Dokumentit konsensual 

• PSD kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës me votë të kualifikuar (dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve) ta miratojë Platformën Shtetërore për Dialogun, e cila duhet të hartohet konsensualisht mes partive të përfaqësuara në Kuvend, duke u shndërruar kësisoj në dokumentin bazë të parimeve themeltare dhe të pozicioneve shtetërore karshi dialogut dhe agjendës së tij. Mbi të gjitha, një Platformë e tillë do të shërbente udhërrefyes i patejkalueshëm në këtë proces kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit;

3. Përfaqësimi: Ndërtimi i Mekanizmit Parlamentar që përzgjedhë Mandatarin dhe Ekipin Negociator

• PSD kërkon që Kuvendi i Republikës me votë të kualifikuar (dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve) ta mandatojë bartësin/t e procesit të dialogut. I/të mandatuarit do të mbahen përgjegjës para Kuvendit për secilën fazë të dialogut dhe për secilin përparim ose dakordancë gjatë tij. Kuvendi i Republikës rezervon të drejtën e shkarkimit të bartësit/ve kurdo që e vlerëson se janë shkelur parimet themeltare të platformës – ose që dakordancat e pjesshme dalin jashtë kornizave të Platformës së marrëveshur dhe të hartuar;

4. Mbikëqyrja e procesit: Opozita të marrë rolin udhëheqës

• PSD kërkon që, në pajtim me Neni 69, paragrafi 1 i Rregullores së Kuvendit, të themelohet një Komision i veçantë i cili do ta monitoronte ekskluzivisht procesin e dialogut. Ky Komision do të jetë përgjegjës për njoftimin e rregullt të Kryesisë së Kuvendit dhe të Seancës Kuvendore për çdo zhvillim në proces. Po ashtu, Komisioni do të kërkonte debate të rregullta parlamentare gjatë periudhës së kohëzgjatjes së procesit negociator. PSD insiston që Komisioni për Mbikëqyrjen e Dialogut të drejtohet nga pëfaqësues të Opozitës parlamentare, ndërkohë që përbërja e tij do të duhej të caktohej sipas formulës së përdorur për formimin e komisioneve të rregullta të Kuvendit.

Këto katër pikat/shtyllat përmbajtësore dhe strukturore të argumentuara sot gjatë takimit me gazetarë ishin kumtuar edhe gjatë tryezës së radhës të partive politike, të organizuar nga ana e Partisë Socialdemokrate, të mbajtur më 20 qershor, 2018 në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Partia Socialdemokrate
Prishtinë
3 korrik, 2018