free hit counter Lugina e Preshevës të përfshihet në dialog, përmes shumicës së kualifikuar - PSD

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti; Nënkryetari, Qëndron Kastrati dhe Sekretarja e Përgjithshme, Aida Dërguti kanë takuar sot Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi; Deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani dhe ish-Kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani.

Gjatë takimit është diskutuar për gjendjen dhe pozitën aktuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e në veçanti për zhvillimet e fundit lidhur me procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Duke e konstatuar gjendjen e vazhdimit të diskriminimit dhe të shtypjes sistematike të autoriteteve shtetërore të Serbisë ndaj qytetarëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; Partia Socialdemokrate ka shprehur mbështetjen e plotë për përfshirjen e kërkesave të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë.

Çështja e Luginës së Preshevës është dashur të jetë që nga fillimi temë e dialogut në Bruksel. Nuk kishte kuptim të flitej vetëm për Kosovën dhe të mos flitet për Serbinë, ku pozita kushtetuese dhe ligjore, si dhe gjendja e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, mbetet më përjashtuese.

Lugina e Preshevës u shpërfill në Rambuje, e sidomos në Vjenë dhe deri tani në Bruksel. Kërkesat e Luginës duhen të trajtohen në dialogun e Brukselit. Çështja e Luginës duhet të trajtohet si e pandashme në kuptimin territorial, në kuadër të dialogut për njohje reciproke. Paralelisht, Qeveria e Serbisë duhet t’i zbatojë marrëveshjet e parealizuara për Luginën e Preshevës, e Qeveria e Kosovës ta zbatojë Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të vitit 2013 për Luginën e Preshevës.

Partia Socialdemokrate insiston se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të jetë bartës i procesit të dialogut, e që shumica e kualifikuar të deputetëve të Kuvendit të Republikës duhet urgjentisht ta miratojnë platformën, ekipin negociues dhe komision mbikëqyrës të dialogut; ku do të përfshiheshin edhe kërkesat e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës.

Çdo ditë e më shumë po vërtetohet se opsioni i paraqitur që disa muaj nga Partia Socialdemokrate për një rezolutë e cila përbashkon pozitën dhe opozitën nëpërmjet votës së shumicës së kualifikuar të deputetëve të Republikës, e ku përfshihen edhe kërkesat e Luginës së Preshevës, mbetet opsioni më i mirë për të ecur tutje në dialogun me Serbinë dhe për të dalur nga kriza e tanishme, të shkaktuar nga Presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.