Kristal e qartë. Marrëveshja për energjinë është avancim i autonomisë së Veriut. Udhërrëfyesi për energjinë na tregoi udhën që ky dialog po e ndjekë. Koordinatat e një marrëveshjeje përfundimtare tashmë kanë dalur në sipërfaqe. Nuk la vend për hamendje e spekulime. As për interpretime. Ajo çka dihet është që asnjë marrëveshje që ka në qendër paqen mes popujve nuk lejon krijimin e entiteteve autonome në hapësirën shtetërore të një vendi tjetër. Asociacioni i komunave me shumicë serbe e ka thelbin tek kjo natyrë politike. Përjetësimi i konfliktit është ushqim për politikanët autoritar si Kurti e Vuçiq.
Kemi thënë në krye të herës që Kurti është vazhdimësi e marrëveshjeve të pjesshme, të cilat vizatojnë hartën e Kosovës mbi baza etnike. Përmes kësaj marrëveshjeje Kurti po institucionalizon statusin e veçantë të komunave veriore të Kosovës. Ai po kujdeset që marrëveshjet që dikur mbeten vetëm tekste pa fuqi politike, të marrin jetë.
Përderisa procesi i kaluar negociator e kishte si qasje politike arritjen e marrëshjeve përmes pjesëve të ndryshme. Procesi i tanishëm në krye me Kurtin ka si strategji këtë qasje: marrëveshjet për tema të veçanta si arritje më e lehtë dhe disi e padallueshme e perfide e marrëveshjes finale, pa u dalluar efektet aty për aty. Ky është popullizmi. Ky është rreziku.
Pushtetit të ri iu dashtë pak kohë për ta rrëzuar tërë ligjërimin e ndërtuar pikërisht ndaj kësaj qasjeje dhe kësaj përmbajtjeje që sot e firmosi.
Nënshkrimi i Qeverisë së Kosovës nuk na përfaqëson.