free hit counter Ndryshimet duhet të jenë përmbajtësore dhe kurrsesi në shërbim të KEDS-it mbi kurrizin e qytetarëve - PSD

Ka pasur tentativë të qartë nga pushteti për t’i dhënë kahje të gabuar krizës së energjisë elektrike. Nëpërmjet mashtrimeve e manipulimeve me shifra, ata u vendosën në shërbim të KEDS-it; fillimisht duke pretenduar që vetëm një pakicë do të preken nga rritja e çmimit të rrymës e që tashmë e kuptuam nga konsumi përgjatë këtyre muajve që shumica dërrmuese e qytetarëve do të preken nga kjo rritje, tek borxhet milionshe tw KESCO ndaj KEK-ut e në të njëjtën kohë shitja e saj me fitim tek qytetarët e deri te subvencionimi i drejtpërdrejt i KEDS-it nga buxheti i Kosovës për t’ja ruajtur fitimin e mbuluar humbjet.

Sot është afati i fundit ku ZRrE pranon komente dhe merr vendimin e saj. Çdo vendim që në dukje është ndryshe por që del të jetë kozmetik e aspak përmbajtësor nuk është i pranueshëm. Kriza energjitike duhet të ketë trajtim tjetër e që nuk është mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës e për profitin e pastër të KEDS-it.

Në aktivitetet tona i bëjmë thirrje çdo qytetari e aktivisti dhe çdo partie opozitare, brenda dhe jashtë parlamentit, që të na bashkangjitet e së bashku të ndalim këtë shfrytëzim që po iu ndodh qytetarëve të Kosovës.

Protesta e 29 janarit i dërgoi qeverisë mesazh të qartë; rritja e propozuar e çmimit të rrymës është e padrejtë dhe e papranueshme. Ajo prek shumicën e qytetarëve dhe i dëmton ata për të mbrojtur KEDS-in. Aleancës në mes të pushtetit dhe kompanisë KEDS i përgjigjemi me aksione, takime, tubime, peticion e protestë.