free hit counter Në emër të popullit, paret e popullit, kapitalit privat! - PSD

Qytetarët e Kosovës kanë qenë dëshmitarë të krimit që është bërë me rrjetin dhe distribucionin e energjisë; monopoli natyral i Kosovës, që ishte rrjeti dhe distribuimi i energjisë nën KEK, është shitur vetëm 26 milionë euro. Atë kohë premtimi për këtë shitje jashtëzakonisht të lirë ishte që do ketë investime në rrjet, çmime më të përballueshme e furnizim 24 orësh me energji elektrike.

Sot, nga pushteti, cili në opozitë ishte më i zëshmi kundër këtij privatizimi, kemi vendimin kriminal të rradhës; fillimisht, me financim prej 20 milionë eurosh drejt KEDS-it, ajo legjitimoi krimin e privatizimit, e së dyti, me po këtë shumë të parave i detyron qytetarët që të paguajnë dy herë për të njëjtën energji; nëpërmjet taksës që ia paguajnë Republikës së Kosovës e së dyti nëpërmjet faturave që do t’ju vijnë. Përkundër kësaj ndihmese ndaj kapitalit privat, sot u lajmërua që qytetarët e Kosovës do të përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Pushteti i Kurtit është pozicionuar diametralisht kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Kurti aktivisht po lufton sindikatat, nuk po i mbështet punëtorët e që rrjedhimisht po rrit kapitalin e atyre që kanë shumë në kurrizin e qytetarëve që kanë pak.
Veprimet e këtij pushteti sot shpërfaqin qartazi qëllimet e privatizimit të egër që e ka karakterizuar Kosovën; profitin e koncentruar në një grusht të njerëzve, brenda e jashtë Kosovës, e në kohë krizash humbjet t’i faturohen qytetarëve të Kosovës.