Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri dhe kryetari i Grupit Parlamentar, Dardan Sejdiu, kanë takuar sot përfaqësuesit e Sindikatës së Telekomit të Kosovës, kryetarin Lamih Balaj dhe anëtarët e Kryesisë, Shpëtim Zharku dhe Naim Haliti.
Gjatë këtij takimi, sindikalistët shprehën shqetësimet e tyre për gjendjen e rëndë në Telekom, duke i numëruar si shkaktarë të kësaj krize kontratat abuzive me kompani të ndryshme private, punësimet partiake pa asnjë kriter dhe pengimin e investimeve. Duke fajësuar segmentet brenda pushtetit për degradimin e ndërmarrjes, ata e quajtën të papranueshëm dhe të dëmshëm vendimin e Qeverisë për nisjen e procesit të privatizimit. Sindikalistët e vlerësuan vendimin e ekzekutivit si të paarsyeshëm dhe të paqëndrueshëm, meqë në vend të menaxhimit të krizës, tash e sa kohë po flasin për performancë të dobët të kësaj kompanie që gjoja po shkon drejt falimentimit.
Duke i cilësuar të drejta shqetësimet e përfaqësuesve të sindikalistëve, përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate theksuan se Telekomi i cili ka qenë në vazhdimësi kompani me profit të jashtëzakonshëm duhet të çlirohet nga abuzimet personale të pushtetarëve. Gjatë takimit u konstatua se mania privatizuese e gjitha qeverive të pasluftës është shndërruar në pengesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Në fund, Visar Ymeri dhe Dardan Sejdiu u zotuan se do të angazhohen në dobi të shqetësimeve dhe të kërkesave të Sindikatës së Telekomit edhe në Kuvendin e Kosovës, e se Partia Socialdemokrate do të jetë një zë i fuqishëm politik dhe një infrastrukturë shtesë organizative kundër politikave klienteliste dhe të korruptuara, të cilët kanë për synim degradimin e çdo asetit publik. 🌹