free hit counter Pesë kushtet e realizuara nga PSD i japin fund kaosit në bujqësi, administratë publike, dialog, sistem pensional dhe qeveri - PSD

Pesë kushtet e realizuara nga Partia Socialdemokrate për votimin e Ligjit për ndarjet buxhetore e vitit 2019 janë ndihmesë e madhe në disa drejtime për qytetarët e vendit, ka thënë sot deputetja Shqipe Pantina përmes një konference për media, në selinë qendrore në Prishtinë.

Duke folur për shkarkimin e Rikallos, Pantina theksoi se ky ishte hap që jep shansin për funksionalizimin e Ministrisë së Bujqësisë. Ndërsa lidhur me Ligjet për reformën e administratës publike, ajo u shpreh se këto ligje po jetësohen vetëm pas insistimit dhe kushtëzimit nga PSD, pasi që të njëjtat për tre vite kanë qarkulluar në qeveri e nuk janë sjellur në Kuvend.

“Miratimi i tyre i jep fund kaosit që ka ekzistuar deri më tani në sektorin publik. Dhe, iu merr nga duart – sidomos partive në pushtet – një instrument me të cilin ata vazhdimisht kanë abuzuar në fushatat zgjedhore, e që është ngritja e pagave në sektorin publik. Për më tepër, përmes këtyre ligjeve, për herë të parë në Kosovë vendoset rendi, transparenca dhe hierarkia e qartë në pagat e sektorit publik. Ky lloj indeksimi i pagave dhe vendosja e një koeficienti me vlerë transparente e pamundëson rritjen e pagave për sektorë të caktuar veç e veç”, ka shtuar ajo.

Pantina paraqiti edhe rëndësinë e hartimit të një Kodi për reformimin e sistemit pensional dhe atë të ndihmave sociale, proces i cili do të udhëhiqet nga PSD, e që ishte njëri nga kushtet. Ajo tha se kjo do t’i japë fund kaosit që është evident edhe në këtë sektor.

Ndërsa, duke përmendur Ligjin për Dialogun si kusht tjetër që mori dritën jeshile në Kuvend, deputetja Pantina konstatoi se është hera e parë që një çështje e tillë rregullohet me ligj në Republikën e Kosovës. Kjo mundëson sanskionimin me ligj të përgjegjësive për vendimmarrje për sa i përket mbarëvajtjes së procesit.

Lidhur me kushtin e pestë, afati i realizimit të së cilit është tremujor, Pantina njoftoi se më së largu deri në mars, qeveria obligohet ta sjellë në Kuvend ligjin për qeverinë. Megjithatë, ajo foli mbi rëndësinë e këtij ligji që parandalon keqpërdorimin e parasë publike, duke nënvizuar reduktimin e numrit të zëvëndës-ministrave, si njëri nga efektet më të rëndësishme të këtij ligji.🌷