Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë dhe kryetari i Partisës Socialdemokrate, Shpend Ahmeti ka deklaruar sot se Platforma shtetërore për dialogun me Serbinë do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës dhe se ajo ka për qëllim njohjen e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
“Besoj se do të jemi në gjendje ta dorëzojmë Platformën në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë javëve në vijim. Kemi pritur përgjigje nga çdo institucion për të shikuar se a mund të ndikojnë në platformë”, ka sqaruar Ahmeti në konferencën për media, në selinë qendrore të PSD-së në Prishtinë.
« Dialogu me Serbinë është në fazën fillestare. Këtë mund të themi nga përgjigjet që i kemi marrë nga gjitha burimet zyrtare të kontaktuara në Prishtinë dhe në Bruksel », ka thënë Ahmeti duke shpjeguar se gjatë kësaj kohe, Delegacioni Shtetëror ka qenë i fokusuar në mbledhjen e informacioneve dhe fakteve, lidhur me takimet e mëhershme mes palës kosovare dhe asaj serbe, përkatësisht midis Presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.
Bashkëkryesuesi Ahmeti informoi po ashtu se Delegacioni Shtetëror ka krijuar tashmë gjashtë komisione : komisionin për të zhdukurit, komisionin për pronat, komisionin për trashëgiminë kulturore, komisionin për të drejtat e minoriteteve, komisionin për krimet e luftës dhe komisionin për ekonomi. Në kuadër të Delegacionit Shtetëror është themeluar edhe Grupi Juridik i cili përbëhet nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të kontribuojnë me ndihmë juridike gjatë procesit të dialogut.
Duke njoftuar për takimet e vazhdueshme të Delegacionit Shtetëror me ambasadorët e vendeve të Quint-it, të cilët e presin përmbylljen e suksesshme të këtij procesi, Shpend Ahmeti shprehu skepticizmin e tij lidhur me mundësinë e arritjes së marrëveshjes përmbyllëse me Serbinë, duke marrë parasysh agresivitetin e politikës shtetërore serbe kundër Republikës së Kosovës. 🌹