Sot, në shërbim të pushtetit dhe mungesës së plotë të transparencës nga ZRrE, policia, nëpërmjet dhunës dhe fyerjeve gjatë arrestimit dhe prokuroria, me mbajtje prej 48 orësh për aktivistët tanë, kanë tentuar të ndalojnë rezistencën e protestën kundër vendimit të padrejtë të rritjes së çmimit të rrymës.
Kërkojmë me urgjencë që aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Natyra Kuçi, Frashër Krasniqi dhe Genc Sherifi të lirohen sa më shpejtë.
Protesta jonë sot e ka nxjerrë në pah një skandal sa i përket marrëdhënieve midis Qeverisë, ZRrE-së dhe KESCO-s. ZRrE ka rritur çmimet, por cili është çmimi nuk e din askush. Vetë kumtesa e ZRrE-së që u lëshua sot e konfirmoi kërkesën tonë. Vendimin thanë se do ta bëjnë publik pas disa ditësh, ndërkohë që faturat ka 10 ditë që faturohen me rritje. Pyetjet që nuk gjetën përgjigje sot do t’i përsërisim vazhdimisht:
1. Sa është çmimi i kilowatt-it për amvisëritë që shpenzojnë rrymë deri në 800 khw?
2. Sa është subvencionimi i Qeverisë për këdo që shpenzon rrymë deri në 800 khw?
3. Sa është subvencionimi për shpenzimet mbi 800 khw?
4. Sa është fitimi i KEDS?
Mungesa e transparencës nuk është kurrë thjeshtë mungesë informacioni. Ajo është së paku indikacion se këtu ka një problematikë, një arsye pse po fshehen vendimet. Kriza e energjisë po shkakton krizë sociale, po e rrit pabarazinë. Buxheti i Republikës së Kosovës po dëmtohet, KEK po dëmtohet, KOSTT po dëmtohet. Është vetëm një i përkëdhelur në këtë mes: kompania KESCO.