free hit counter Shteti në shërbim të milionerëve - PSD

Zhvillimet rreth vdekjes tragjike të një punëtori në kompaninë e naftës “Lab-Oil” janë skandaloze.

Përderisa Krenar Jemini humbi jetën në vendin e punës, Inspektoratit të Punës nuk iu lejua qasja e menjëhershme në vendin e ngjarjes nga ana e kompanisë.

Kjo edhe një herë dëshmon se shteti në Kosovë nuk i mbron të dobëtit. Prandaj edhe i ka lënë vetëm dhjetëra inspektorë të punës në mbarë vendin. Ai nuk është as arbitri që e sheh publiken në ndonjë sintezë përmbi palët në konflikt. Është në funksion të kapitalit tregtar dhe financiar.

Kryeinspektori Basri Ibrahimi u la i vetëm. Nuk e pati me vete forcën e ligjit. Ligjësia e sundimit të ligjit u vërtetua edhe kësaj here: ai funksionon vetëm për të pasurit. Formulimet ligjore që krijojnë iluzionin e barazisë “të gjithë”ose “pavarësisht nga”, se ligji qenka i njejtë për të gjithë, mund të jenë të vërteta vetëm nëse do të ishim të gjithë milionerë. Prandaj, përvoja jonë me të është ajo e mosfunksionimit të vazhdueshëm. Në fakt, s’ka qenë e menduar ndryshe.

Nuk do të ndalemi duke përsëritur se tek arroganca e kompanisë në fjalë e shohim mungesën e organizimit sindikal. Partia Socialdemokrate i shpreh ngushëllime e solidaritet familjarëve dhe miqve të të ndjerit. Ftojmë organet përgjegjëse që t’i hetojnë hollësisht shkaqet e vdekjes së punëtorit dhe t’i dënojnë përgjegjësit eventualë.