Partia Socialdemokrate e mbështet protestën e organizuar nga Kompania Publike që ata të përfshihen në masat emergjente nga Qeveria në detyrë.
Që nga miratimi i Pakos Emergjente nga Qeveria e Kosovës janë bërë katërdhjetë e tre (43) ditë. Që nga ajo kohë kjo qeveri nuk e ka marrë mundin më të vogël që të kujdeset dhe t’i përfshijë qindra punëtorë të mirëmbajtjes, të cilët me punën e tyre të palodhshme e të ndershme, i kanë mirëmbajtë rrugët dhe i kanë heqë mbeturinat afër vendbanimeve tona. Shëndeti i tyre është vazhdimisht në përballje me pandeminë Covid-19. Ata e bëjnë punën e tyre në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku trajtohen shumica e të prekurve me Covid-19 si dhe në Qendrën e Studentëve ku është vendosë karantina.
Në të njëjtën kohë, Partia Socialdemokrate konsideron se standardet e dyfishta në lidhje me refuzimin e kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, që kjo kompani të mbajë protestë duke i’u përmbajtë rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike është e papranueshme, e papërgjegjshme dhe skandaloze. Ndërsa, në anën tjetër e kemi mos-reagimin për protestën e pa-paralajmëruar dhe të palejuar nga qeveria në detyrë, të qindra aktivistëve të Partisë në pushtet, në këtë rast të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Kur shumica nga ne qëndrojmë në shtëpi dhe duke qëndruar në distancë sociale, këta punëtorë nuk e kanë fatin tonë, e as të Kryeministrit. Ai nuk i mbledh mbeturinat e tij e as nuk e mban pastërt ambientin e tij afër ndërtesës ku banon. Ai nuk përballet me mikrobin dhe virusin potencial të Covid-19. Përballen këta punëtorë për të cilët, për shkak të mos-mbështetjes së tij, ai duhet të mbajë përgjegjësi.