Kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend A. Ahmeti, me nënkryetarin Visar Ymeri dhe kryetarin e Grupit Parlamentar Dardan Sejdiu kanë takuar sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z.Ditmir Bushati dhe Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z.Qemal Minxhozi.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërshtetëror, si dhe për procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Duke e theksuar nevojën e ndërtimit të konsensusit të gjerë politik, institucional dhe shoqëror në Kosovë, për çështjen e dialogut me Serbinë; Shpend Ahmeti, Visar Ymeri dhe Dardan Sejdiu kanë njoftuar Ministrin Bushatin dhe Ambasadorin Minxhozi mbi Propozim-Rezolutën e Partisë Socialdemokrate për miratimin e platformës, ekipit negociues me bartësin e tij dhe mekanizmit mbikqyrës të dialogut, me shumicë të kualifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Partia Socialdemokrate ka vlerësuar me këtë rast përkushtimin e diplomacisë shqiptare për sovranizimin e Republikës së Kosovës dhe për kontributin e saj për stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin rajonal.