free hit counter Grupi negociues i qeverisë, instrument për legjitimim të Thaçit - PSD

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vendimin për ekipin negociator që do ta përfaqësojë Kosovën në bisedimet me Serbinë. Ky ekip nuk ka asnjë kuptim tjetër përveç se të ndërhyjë në një proces vendimmarrjeje që është përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit të Republikës, e përmes të cilit për një kohë të gjatë është mëtuar të arrihet vendimmarje koncensuale karshi një procesi kaq të rëndësishëm e të ndjeshëm siç është dialogu me Serbinë. Ekipi i sotëm i emëruar nga Qeveria nuk është asgjë përveç se patericë e aventurave të dëmshme e të rrezikshme të Presidentit Hashim Thaçi, i cili po insiston vazhdimisht që të jetë në krye të dialogut pa marrë parasysh refuzimin kategorik të pjesës më të madhe të të zgjedhurve të popullit e shoqërisë civile karshi tij dhe qëllimeve të tij.

Sikurse edhe më herët, Partia Socialdemokrate konsideron që për një proces kuptimplotë negociator duhet të përcaktohen shtyllat që e përkufizojnë përmbajtjen dhe qëllimin që duhet ta ketë ky proces. Fillimisht, që ky proces të ketë legjitimitet, duhet dakordim i gjitha partive parlamentare të Kuvendi të jetë përgjegjësi kryesor për këtë proces, si organi më i lartë legjislativ i Republikës. Së dyti, është domosdoshmëri që me votë të kualifikuar (2/3 e Kuvendit), të miratohet Platforma Shtetërore për Dialogun, që nënkupton pozicionin shtetëror të Republikës së Kosovës në dialog. Së treti, po më votë të kualifikuar, do të duhej që të mandatohej Ekipi Negociator, ekip të cilin Kuvendi do të mund ta shkarkonte në rast se do të shkelej Platforma. Dhe së katërti, do të duhej që nga Kuvendi të themelohej një Komision i veçantë që mbikëqyrë gjithë ecurinë e këtij procesi.

Në përputhje me këtë, PSD vlerëson që Republika e Kosovës nuk mund të përfaqësohet nga ky ekip negociator në një proces aq të rëndësishëm. Sikurse as presidenti Thaçi, as ky ekip nuk e shpreh koncensusin nacional për këtë çështje.

PSD qartëson po ashtu se merr pjesë në seancën e organizuar në koordinim nga tre partitë opozitare, por jo në seancat e thirrura me nguti nga pushteti për të legjitimuar cenimin që qeveria po tenton t’ia bëjë institucionit më të lartë vendimmarrës në Republikën e Kosovës.