Është një hartë që e mban Kosovën ende në territorin e saj, e ajo është harta e Serbisë dhe kushtetuta e saj. Kush do ta kishte besuar që një e tillë gjendet edhe në Bashkimin Evropian. Sot kur komisari i BE-së Lajçak e mban një hartë të tillë në zyre, na kujtohet sesi nga vizita e tij në Beograd kishte dërguar porosi për Kosovën, duke thënë se nëse është e nevojshme duhet ndërruar edhe kushtetuta e Kosovës për akomodimin e themelimit të asociacionit.
Për komisarin Lajçak, Kosova dhe historia e saj me harta dhe kufi nuk është ngjarje e përfunduar dhe Kosova nuk është çështje e lirisë së popullit, por e balancave dhe neutralitetit. Përmes të dërguarit të tij, BE në fakt nuk është as neutrale, duke qenë se ky neutralitet i shërben Serbisë. BE edhe më tej vazhdon ta konsiderojë Kosovën të pabarabartë edhe në rrafshin politik edhe në atë tregtar, ekonomik.
Tutje, neutraliteti për pavarësinë e Kosovës i shërben një projekti tejet të dëmshëm, si zgjidhje e mundshme në negociata Kosovë – Serbi, e ai është Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe.
Në kohën kur pritet që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të niset, Kosovën e gjenë një moment të vështirë. Në njërën anë kemi Bashkimin Evropian me qasje të padrejtë dhe të anshme ndaj shtetësisë së Kosovës dhe në anën tjetër kemi një Qeveri në ardhje, në krye me Kurtin i cili ka tëholluar raportet me Lajçak. Ky i fundit është i preferuari i Kurtit. Kjo lidhje flet shumë. Cka nëse vendosim ta lexojmë procesin e dialogut duke u bazuar në raportin Lajçak-Kurti? Rezultati final dihet.