Tashmë e kemi kuptuar që nga gjysma e shtatorit të vitit 2021, KESCO nuk e ka paguar rrymën e prodhuar nga kompania publike KEK. Poashtu kuptuam që as rrymën e janarit, në vlerën e 10 milionë euro, që ka prodhuar KEK nuk është paguar nga KESCO. Pra, rryma e prodhuar në vlerë prej 61 milionë euro nga KEK nuk është paguar as edhe një cent nga KESCO; ndërkohë KESCO këtë rrymë na ka shitur neve. Pra, fitim i KESCO-s mbi kurrizin e kompanisë publike KEK.
Në të njëjtën kohë kuptuam që KESCO, e cila është kompani esencialisht e njëjtë me KEDS, i ka borxh kompanisë publike të transmisionit KOSTT në shumë prej rreth 30 milionë eurosh. Në total, kompania private KESCO është mbi 90 milionë euro në borxh me kompanitë publike.
Nëse mbledhim së bashku 44.5 milionë eurot të subvencionuara nga qeveria e Kosovës, me 75 milionë euro të tjera për të cilat është zotuar qeveria e Kosovës me aprovimin e raportite ZRRE-së me dallimin në çmim që do ta paguajmë ne si qytetarë dhe borxhin që kompania ia ka kompanive publike KEK dhe KOSTT atëherë mund të themi që KESCO dhe KEDS i kanë kushtuar Kosovës, në mënyrë direkte dhe indirekte, mbi 200 milionë euro të cilat kanë shkuar për t’i mbuluar humbjet e tyre.
Asnjë penalizim nga institucionet për KESCO-n dhe KEDS-in e cila në mënyrë flagrante ka shkelur kontratën e saj të distribuimit të energjisë duke shkyqur rrymën me reduktime e pa paralajmërime, e shumë shpesh edhe më gjatë sesa që deklaronte. Ato në vend që të dënohen po shpërblehen; shumica po bart barrën e krizës mbi kurrizin e saj për hir të profitit të një pakice, e që janë dy kompani private.
Jemi dëshmitar që me thellimin e krizës energjitike në Kosovë kemi parë edhe thellimin e aleancës tashmë publike në mes të pushtetit dhe kompanive private KESCO dhe KEDS për të subvencionuar humbjen e këtyre dy të fundit.
Kjo gjë duhet të na alarmoj sepse po na dëmton. Këto skandale nuk mund të kalojnë në heshtje. Prandaj, pakënaqësinë tonë na duhet ta shprehim në mënyrën e vetme që na ka mbetur; protestë. Me 29 janar.