free hit counter Gjykata e Punës - Angazhimi i ri i Partisë Socialdemokrate - PSD

Partia Socialdemokrate përmes konferencës për medie ka paraqitur aktivitetet e nismat e saj që kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Falë aktivitetit sindikal dhe presionit shoqëror në përgjithësi, disa çështje me rëndësi që rregullojnë të drejtat e punëtorëve në Ligjin e Punës janë duke u përmirësuar. Shumë çështje të tjera duhet adresuar në të ardhmen.

Deputetja Besa Baftiu, Kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë e Mirëqenie Sociale. ka paraqitur amandamentet e Partisë Socialdemokrate për Ligjin e Punës. Kurse deputeti Faton Topalli bëri të ditur fillimin e një angazhimi të ri: themelimin e Gjykatave të Punës.

Një e drejtë gjatë e vonuar, është një e drejtë e mohuar.

Gjatë kësaj konference u potencua se sistemi gjyqësor aktual vuan nga mosefiçienca dhe joprofesionalizmi, dhe se janë me mijëra raste që presin të mbyllura në sirtarë. Shumë raste vjetërohen pa u ndarë drejtësia. Dhe të ndodhur në gjendje të nevojës së domosdoshme për të siguruar të ardhura, të pa informuar mbi të drejtat e tyre, dhe pa besim tek sistemi i drejtësisë, punëtorët janë të detyruar të durojnë shkelje e dhunime të rënda përgjatë procesit të punës.

Departamenti për Marrëdhëniet e Punës

Më tej, u tha se Departamenti për Marrëdhëniet e Punës ka për objekt trajtimi vetëm konfliktet që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës, me qëllim që të rritet efikasitetin, pra edhe  realizuar të drejtat.

Ky Departament kërkon gjyqtarë të profilizuar vetëm për këtë fushë, siç kërkon gjykimi i marrëdhënies së punës një kuptim tjetër për drejtësinë.

Departamenti për Marrëdhëniet e Punës do të jetë brenda kuadrit të secilës Gjykatë Themelore në Republikën e Kosovës. Ndërkaq, në nivelin e apelit do të krijohen kolegje të veçanta gjyqtarësh.

Rastet e ngritura për gjykim do të përbëhen nga një gjykatës profesional dhe dy gjyqtarë porotë.

Duke pasur parasysh natyrën e marrëdhënieve të punës, kontestet e konfliktet që lindin aty, kompetenca lëndore për gjyqtarët porotë do të përfshijë përfaqësuesit e organizatave të punëdhënësve dhe të punëmarrësve. Në secilën çështje për t’u gjykuar, përveç gjyqtarit profesionist do të kemi një gjyqtar porotë nga organizata e punëdhënësve, dhe një nga ajo e punëmarrësve.

Kompetencë e këtyre Departamenteve do të jetë zbatimi i Ligjit të Punës dhe ligje tjera që rregullojnë këtë fushë. Janë një sërë shkeljesh, adresimi i të cilave ka rëndësi jetike për mirëqenien e punëtorëve që do të siguronin Departamentet e Veçanta për Marrëdhëniet e Punës: mosdhënia e pagës, mospagesa e kontributit pensional, mospagesa e punës jashtë orarit, siguria dhe shëndeti në punë, dëmshpërblimet, pushimet gjatë orarit, pushimet javore, pushimi vjetor, diskriminimi karshi përkatësisë kombëtare, racore, fetare apo gjinore, etj.

Që këto gjykata të vihen në funksion, duhet organizuar trajnime të veçanta për gjyqtarët, por edhe duhet specifikuar e konkretizuar legjistlacioni. Për krijimin e Departamentit të Veçantë për Marrëdhëniet e Punës duhet amandamentuar Ligji Për Gjykatat në mënyrë që të shtohet dispozitat mbi Departamentin e Marrëdhënieve të Punës, por edhe parashikimin e gjyqtarëve porotë.

Ndihma juridike falas

Tutje u theksua se punëtorët që janë më se shumti të shfrytëzuar janë më pak të informuar mbi të drejtat e tyre që mbrohen me ligj. Në këtë drejtim,  u nënvizua se një fushatë sensibilizmi, sidomos në ata sektorë ku mungon organizimi sindikal është i nevojshmëm. Ata duhet ta dinë se organizimi sindikal është e drejtë e garantuar me ligj, siç duhet t’i njohin procedurat dhe institucionet për t’i adresuar shkeljet që atyre iu bëhen çdo ditë. Në këtë drejtim, sindikatat, por edhe inisitucionet përgjegjëse duhet t’I ndërmarrin veprimet e duhura për të siguruar një shërbim juridik falas vetëm për këto çështje.