free hit counter Homazh - errësira e sferës private duhet të ndriçohet. - PSD
Në dhomën e ditës errësira ka zënë vendin e jetës. Çdo ditë është një goditje e re, ndonëse është përsëritje. Problemet në familje mbahen të izoluara, deri në momentin kur gruaja e tradhëton këtë pakt. E shkelja asaj i kushton me jetë. Burri vret gruan.
 
Vrasjet e grave janë të paralajmëruara. Ato nuk janë vrasje në afekt, por dhunë e shfrytëzim sistematik që kulmojnë me vrasje. Kur fjala “neglizhencë” përshkruan mosveprimin institucional, dihet që është gjuhë e zbutur për pjesëmarrje në vrasje. Patriarkati bashkëjeton me strukturën shfrytëzuese ekonomike dhe rendit represiv. Kufizimet dhe kushtëzimet që i vendosen gruas gjatë jetës janë po të njëjtat që në fund e vrasin.
 
Sa herë dëgjojmë që një burrë ka vrarë gruan, duhet ta dijmë se aty ka pasur një luftë të gjatë, të mundimshme, se aty ka pasur shtypje e shfrytëzim. Secila krismë plumbi le si evidencë privilegje të cenuara të burrit, cenim të pushtetit. Sa herë trupi i pajetë i gruas shtrihet në dysheme, duhet nënkuptuar që aty është një histori rezistence.
 
Këto qëndresa individuale duhet t’i bashkojmë dhe t’i kthejmë në dije që formojnë dhe organizojnë bashkësi politike. Gratë që janë të privuara nga organizimi aktiv dhe nga pjesëmarrja në sferën publike duhet të jenë pjesë e diskursit dhe organizimit feminist. Hapësira private duhet të politizohet dhe gratë me pamundësi grumbullimi duhet të jenë po kaq pjesë e betejave për çlirim, përmes formave të reja të pjesëmarrjes.
 
Nuk guxojmë që aktivitetin tonë dhe ndjeshmëritë për çështje të definohen nga përjetimet tona, të ndryshme nga ato të grave që nuk janë më. Përvojat tona mund të jenë të ndryshme, por lufta është e përbashkët.
 
Sot kujtojmë, nesër luftojmë.