“Parja shkon te parja”- kjo është shprehja popullore për akumulimin e kapitalit. Ky fenomen që është njëkohësisht strukturë dhe sistem shpërfaqet edhe në kushte krizash.
Ndërhyrjet e Qeverisë Hoti si përgjigje ndaj pandemisë mund të analizohen nga dy plane: si qasje, dhe si politika të cilave duhet t’u analizohet efekti në shoqëri. Që të dyja janë problematike.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ndau 60 milionë euro. Na u tha se mjetet po ndahen për punëtorët. Por, në emër të punëtorëve mjetet po u ndahen bizneseve. Së pari, në asnjë situatë Qeveria nuk duhet të komunikojë, apo të vendosë çfarëdo relacioni me punëtorët përmes bizneseve. Pronarët e bizneseve dhe punëtorët nuk janë i njëjti subjekt as nuk kanë interesa të përbashkëta. Bizneset nuk mund të konsiderohen përfaqësues të punëtorëve.
Së dyti, mjetet e shpëndara, por as masa e tërheqjes së mjeteve nga trusti pensional nuk janë përgjigje adekuate për qëllimin që vetë Qeveria e ka proklamuar: nxitja e kërkesës për konsum.
Për ta rritur kërkesën për konsum duhet ndërhyrë tek ata që nuk marrin të ardhura sepse e kanë humbur punën, ose aty ku të ardhurat janë pakësuar. Janë mesatarisht 50 mijë punëtorë që e kanë humbur punën dhe që nuk blejnë dot më. Ky është vendi dhe komuniteti ku ka nevojë për mbështetje, por pikërisht këtu ajo mungon tërësisht. Në anën tjetër, shpërndarja e këtyre mjeteve si subvencion reflekton logjikën e taksës së sheshtë që ruan dhe e thellon pabarazinë.
Mesatarja që një biznes i vogël merr nga subvencionet është 800 euro, kurse mesatarja e një biznesi të madh e kap shifrën prej 200 mijë euro.
Në anën tjetër, nëse e shohim strukturën e kursimeve në Trustin Pensional të Kosovës, vërehet se ndikimi i mundësisë për tërheqjen e 10% të kursimeve në rritjen e kërkesës për konsum është tejet e kufizuar. Bazuar në kursimet e mbledhura, i bie që 80% e kontribuesve duke e shfrytëzuar këtë mundësi mund t’i marrin rreth 110 euro. Pra, larg më pak se një pagë minimale. Kurse 6 % e tyre mund t’i tërheqin deri në 1700 euro.
Pandemia, sikur secila krizë tjetër, sado gjithëpërfshirëse që mund t’i ketë pasojat, nuk i dëmton të gjithë njëjtë. Një shoqëri me pabarazi të thelluar duke i trajtuar të gjithë njëjtë e rritë pabarazinë. Për ta përmbledhur, masat e Qeverisë Hoti thonë kështu: bizneset i ndihmon shteti, sa më i madh më mirë trajtohesh; kurse punëtorët, po patën pensione, le t’i hanë pensionet e tyre.