Partia Socialdemokrate po shënon 1 vjetorin e riorganizimit të saj dhe po lë prapa një vit përplot angazhim në Komunën e Prishtinës, Komunën e Kamenicës, në grupin parlamentar si dhe në shtrirjen organizative të partisë në çdo cep të vendit.
Lidhur me angazhimin njëvjeçar dhe eventin shënues të riorganizimit të PSD-së, në një konferencë për media folën nënkryetari dhe deputeti Dukagjin Gorani, dhe deputetja Shqipe Pantina.
“Riorganizimi i partisë socialdemokrate është një përpjekje e një grupi të grave the burrave, aktivistë e deputetë, që në kohë të vështira të qeverisjes klanore, të ndasive sociale dhe të grindjeve partiake, të ofrojë një përkufizim funksional të angazhimit shoqëror – për politikëbërjen si ofrim i zgjidhjeve, e jo vetëm si konstatim i problemeve”, theksoi Dukagjin Gorani.
Ai shtoi tutje se mbi këto parime, në skenën publike dhe politike, PSD po përpiqet ta promovojë arsyeshmërinë në veprim dhe kreativitetin në mendim, si dhe po tenton të promovojë transforimimin përmes debatit e bashkëpunimit, e jo përmbytjen përmes armiqësimit e denigrimit.
Kurse, deputetja Pantina foli për angazhimin dhe punët konkrete të PSD-së në Kuvendin e Kosovës dhe dy komunat PSD është në qeverisje, si dhe shtrirjen në terren.
“Përveç se kemi aplikuar kuotën gjinore 50:50 në struktura të partisë, në qeverisjen e Prishtinës nga 16 drejtori, 7 nga to udhëhiqen nga gratë apo përkthyer në përqindje – 44%; e në Kamenicë, kjo përqindje është 54%, pasi që nga 11 drejtori, 6 drejtohen nga gratë. Krahasuar me komunat tjerat, ku 85% të drejtorive udhëhiqen nga burrat e vetëm 15% nga gratë, qeverisja e PSD-së në këto dy komuna ka dhënë shembullin e kundërt, duke e kosnideruar barazinë si pikënisje dhe duke dhënë hapësirën e barabartë për burrat dhe gartë në qeverisje.”, potencoi deputetja Pantina.
Në fund, ajo ftoi gjithë mbështetësit e PSD-së, që nesër, me 9 maj, duke filluar nga ora 18:30, në Sallën e Kuqe, të marrin pjesë në njëvjetorin e riorganizimit të partisë.