Në takimin me eurodeputetin nga Gjermania dhe kordinatorin për punë të jashtme Knut Fleckenstein, eurodeputetin nga Rumania dhe nënkryetarin e PE-së Victor Boștinaru dhe eurodeputeten nga Sllovenia, Tanja Fajon, njëherit raportuse e PE-së për liberalizim të vizave, përfaqësuesit e PSD-së njoftuan mbi zhvillimet politike dhe gjendjen aktuale në Kosovë, duke theksuar brishtësinë e qeverisë së tanishme.Eurodeputetët u njoftuan tutje për orientimet ideologjike dhe programore të PSD-së, e cila angazhohet për drejtësi, barazi, zhvillim të qendrueshëm dhe për një Republikë të qytetarëve, në të cilën do të tejkalohen ndasitë etnike.
Me theks të veçantë në këtë takim u bashkëbisedua edhe për dialogun me Serbine dhe nevojen për mbikëqyrje parlamentare të këtij procesi që ka hyrë në fazën përfundimtare, me ç’rast u potencuan rreziqet serioze për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Ndërsa, duke folur për liberalizimin e vizave, delegacioni nga PSD theksoi rrezikun për zbehje të ndjenjës proevropiane në Kosovë nëse BE nuk sjell rezultate konkrete në lidhje me premtimet e dhëna nga Komisioni Evropian në lidhje me këtë proces.
Deputetët evropianë shprehen mirëpritjen e tyre karshi krijimit të PSD-së, duke theksuar se Partia Socialiste Evropiane (PSE) ka qenë qe një kohë në kërkim të një partneri të besueshëm në Kosovë, me të cilin do të mund të punojë në terma afatgjatë. Ata shprehën përkrahjen e tyre të parazervë për PSD-në dhe kërkuan përkrahjen e PSD-së për të avancuar agjendën evropiane në Kosovë.
Në fund, palët u pajtuan për një dialog të strukturuar midis PSE-së dhe PSD-së në shtator, i fokusuar në prioritetet e përbashkëta si dhe pritjet dhe qëllimet e dy palëve në lidhje me bashkëpunimin afatgjatë midis tyre.