free hit counter Quhet Albesa Rudi - PSD
Vrasjet e grave janë gjithsesi gjinore. Vrasja e mbrëmshme po ashtu. Mirëpo, identitetet joekonomike janë në pikëprerje me klasën dhe çdo përpjekje për shkëputje të njërës nga tjetra është e njëllojtë sikur kur kërkon përgjigje e zgjidhje tek pasojat, pa i gjetur shkaqet.
Rasti i mbrëmshëm i Albesa Rudit (16 vjeçare) nga Peja, e dëshmon pikërisht ndërlidhjen e kushteve ekonomike dhe pushtetin që burrat ushtrojnë mbi gratë. Nuk është rastësi që kjo vrasje ndodhi në një familje të varfër. Abuzimi është i qartë.
Realiteti neoliberal që ushqen rendin patriarkal, por edhe mirëmbahet prej tij, ka prodhuar marrëdhënie e forma të ndryshme dhune. Relacionet shoqërore që kushtëzohen nga struktura ekonomike dhe politike të pabarabarta dhe në mënyrën si e normojnë pabarazinë, pashmangshëm dërgojnë në vrasje, dhunë dhe shtypje të qytetarëve me më pak pushtet, e që janë gratë.
Diskutimi nga ana e mediave dhe të tjerëve mbi skenare të ndryshme sesi ka ndodhur vrasja, cilat janë hollësitë e kështu me radhë, nuk ndihmon që të zgjidhet dhe adresohet problemi. Përkundrazi trajtimi i tillë shpesh ka ndikuar në stigmatizim të rastit. Ne mund të merremi me rastin konkret, duke u degëzuar në skenare të ndryshme sesi ka ndodhur vrasja, cilat janë hollësitë e kështu me radhë, por kjo qasje policore le t’i lihet institucioneve përkatëse. Madje, individualizimi i skajshëm i rasteve vetëm sa e dëmton diskutimin për dhunën. Urgjent dhe i domosdoshëm mbetet diskutimi për kushtet që prodhojnë dhunën ndaj grave si dhe për formën në të cilën ekziston familja. Institucionet e vendit duhet të merren me rastin në hollësi dhe të raportojnë rreth ngjarjes. Rastet e veçanta duhet të shërbejnë në denoncimin e problemit në përgjithësi. Drejtësia për rastet e veçanta është e domosdoshme edhe për kauzën për drejtësi sociale.
Në të njëjtën kohë që duhet ndëshkuar vrasësit, duhet të hapim diskutim dhe të ndërhyjmë në hapësirat ku shtypja është e lokalizuar dhe e mirëmbajtur nga një moral që mbanë edhe petkun e modernitetit, përveç të tradicionales. Duhet të denoncohen rastet, por përpjekja shoqërore duhet të shkojë drejt adresimit të strukturës ekonomike, por edhe mendësisë që normalizon dhunën.