Partia Socialdemokrate ua uron të gjithë qytetarëve përvjetorin e 11 të pavarësisë dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës. Në këtë vit të njëmbëdhjetë të mëvetësisë, sikur në çdo përvjetor, përkujtojmë, nderojmë e përnaltësojmë sakrificat dhe përpjekjen e mundimshme e të gjatë popullore për liri, barazi dhe solidaritet. Këto ideale ishin udhërrëfyesi i përpjekjes çlirimtare dhe do të duhej të ishin themeli i Republikës sonë sovrane.
Ky përvjetor pavarësie, sikur shumë të tjerë para tij, na e sjellë në mendje e na i vë në pah, sukseset e Republikës sonë, dhembjet e rritjes së saj, por edhe çalesat në shumë fusha. Këtë vit shënojmë përvjetorin e pavarësisë me një hap të madh në shtetndërtim – krijimin e bazës ligjore për ndërtimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Me këtë, Republika e Kosovës ecën para në rrugën drejt sovranizimit të plotë.
Mirëpo ende nuk jemi atje. Një shtet sovran përveç shpalljes së brendshme duhet ta ketë të kompletuar edhe njohjen e jashtme. Në këtë drejtim, 11 vjetori i Pavarësisë na gjen pranë një tjetër sfide të rëndësishme – përmbylljen e procesit të gjatë e shpeshherë të pakuptimtë dhe të dëmshëm të procesit të dialogut me Serbinë. Është e domosdoshme që ky proces të përmbyllet me njohje nga Serbia, në mënyrë që të hapet rrugë e të sigurohet njohja nga vendet e tjera, me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe themelimin e marrëdhënies së plotë kontraktuale të Kosovës me BE-në.
Republika që të jetë sovrane duhet të jetë edhe zhvillimore edhe sociale. Fuqia e shtetit janë qytetarët e tij. Republika demokratike siguron trajtim të barabartë e pjesëmarrje të barabartë të të gjithëve në të mirat e shërbimet publike. Kjo në anën tjetër siguron një qytetari aktive me kapacitet të prodhimit të demokracisë autentike. Ekonomia jonë duhet zhvilluar për të krijuar vende cilësore, me kualifikim e qëndrueshmëri në punë, zhvillim të barabartë rajonal, arsim e shëndetësi funksionale, por edhe qëndrueshmëri mjedisore.
Republika jonë duhet të ndërtojë mekanizma funksional të shpërndarjes më të barabartë të pasurisë që ia rrisin mirëqenien e zhvillojnë shoqërinë. Një shoqëri më e zhvilluar e më e arsimuar do të jetë ajo në të cilën nuk do të shohim e përjetojmë tutje shtypjen e dhunën ndaj grave, shfrytëzimin e punëtorëve, nëpërkëmbjen e të varfërve, hendekun e madh në pasuri dhe në të drejta.
Kështu, dhe vetëm kështu do ta kemi një shtet tonin dhe për ne, që garanton paqe, shpërndanë drejtësi, krijon barazi, ofron përkujdesje, na zhvillon, na mbronë, është solidar – më një fjalë na bën të lirë.
Këtë liri e synojmë. Këtë liri duhet ta festojmë.
Urime!