Personalja është politike; qeveri patriarkale; gratë rrezikohen më shumë nga burrat në shtëpi sesa nga pandemia në rrugë.
Janë këto fjalët-protestë të aksionit të sotëm. Dhuna ndaj grave është pjesë e rrjedhës normale të jetës në Kosovë. Në institucione, ky fenomen është punë shifrash të raportuara. Janë 388 raste raportimesh për 3 muaj. 388 gra ndaj të cilave është ushtruar dhunë kanë marrë guximin të raportojnë në polici. Në polici, i pret polici që pas procedurave standarde, këtë çështje e konsideron punë të brendshme të familjes. Prandaj “Personalja është politike”. Sepse raportet e konsideruara personale, private e familjare janë përplot shfrytëzim e dominim. Janë përplot dhunë.
Nga familja në shoqëri, nga shoqëria në institucione, dhuna ndaj grave është bërë pjesë integrale, është normalizuar deri atë masë sa është bërë e pavërejtshme. Ky qerthull duhet ndërprerë!