Ditën e Evropës ia urojmë Gjermanisë. BE është tregu dhe monedha e përbashkët gjermane. Gjermania po importon njerëz, dhe po eksporton mallra.
Besoni ose jo, burimet publike të Kosovës po e financojnë sistemin shëndetësor gjerman. Kurse Gjermania është ekonomia e katërt në botë për nga madhësia. Për këtë arsye jemi këtu sot: për ta sjellur faturën e shfrytëzimit.
Oda e Mjekëve në Gjermani sugjeron rritjen e numrit të studentëve të mjekësisë për 4000-5000 vende të reja. Por, kjo nuk ndodh sepse kostoja qenka e lartë, kurse nga Ballkani dhe Amerika Latine po i marrin falas.
Oda e Mjekëve të Kosovës tregon se vetëm 4 muajt e parë të këtij viti, nga Kosova kanë ikur 91 mjekë. Secili prej tyre, po të shkollohej atje do të kushtonte 200 mijë euro. Janë 18. 2 milionë donacion nga popull i Kosovës solidaritet për “Gjermaninë e varfër”. Nëse ia shtojmë kësaj edhe 9 milionë për 300 infermierë, shifra për 4 muaj shkon në 27.2 milionë. Nëse llogarisim se kjo dinamikë vazhdon gjatë krejt vitit, i bie se Kosova ia kursen Gjermanisë 81.6 milionë euro. Dhe mos harroni se ky fenomen nuk ka nisur këtë vit, por ka së paku 5 vitet e fundit që vazhdon intensivisht. Kurse vazhdimi i tij me këtë ngritje intensiteti do ta gjejë Kosovën me mungesë mjekësh për 3-4 vjet.
Kjo faturë nuk është “ikje e trurit”, por faturë e shfrytëzimit. Inxhinierë, ndërtimtarë, kuzhinierë, dizajnerë, janë qindra e mijëra punëtorë të rinj që po ikin në fabrikën gjermane. Pasi na është mohuar politika monetare dhe subvencionimi, tash jemi veçse konsumues që riciklojmë vlerën e prodhuar jashtë nesh. Ikja e fuqisë punëtore, kryesisht të kualifikuar dëmton rëndë zhvillimin e brendshëm, përveç që ul konsumin dhe taksat. Kjo marrëdhënie qendër-periferi duhet të ndryshojë, përndryshe nuk ka asnjë kuptim ta quajmë njëri-tjetrin partnerë. Mbase më mirë të bëhet Kosova një nga landet e Republikës Federale të Gjermanisë. Së paku, do të kishim më shumë zë, dhe do ta gëzonim mbrojtjen sociale që ekziston atje.