free hit counter Programi BAZË: Politika afirmative, barazi shoqërore - PSD

Sot nisëm fushatën së cilës ia kemi vendosur emrin Bazë, sepse vendi ka nevojë për ndërhyrje radikale në të gjitha segmentet e shoqërisë për të luftuar pabarazinë, varfërinë në të gjitha format e saja si dhe për t’i ofruar qasje të mirëfilltë secilit qytetar të Kosovës në shëndetësi dhe arsim cilësor e gjithëpërfshirës.

Kosova, për shumicën e qytetarëve të saj që kanë pak, është bërë vend jashtëzakonisht i vështirë për të jetuar. Shëndetësia publike është gërryer prej së brendshmi nga privatizimi i saj. Arsimi, prej atij të hershëm e deri tek ai universitar, është neglizhuar plotësisht nga çdo qeveri që se kishte atë në listen e tyre të prioriteteve. Në të njëjtën kohë, punëtorët e Kosovës janë të dorëzuar tërësisht në duart e pamëshirshme të tregut të punës; ata s’kanë siguri në vendin e punës e as mbështetje nga qeveria. E familjet me asistencë sociale detyrimisht marrin pjesë në ciklin vicioz të varfërisë deri në pafundësi në mënyrë që të ndihmohen nga institucionet e shtetit.

Ky lloj organizimi duhet të përmbyset. Baza është mënyra e rruga përpara. Ne besojmë që për çdo qytetarë të Republikës së Kosovës duhet të ekzistojë një kufi, një bazament, nën të cilin nuk duhet të bie, pavarësisht krizave ekonomike e vështirësive; çdo qytetar i Kosovës duhet të gëzojë të drejtën që të jetojë dinjitetshëm larg kufirit të varfërisë me një pagë bazike universale; të gëzojë të drejtën që në rast të humbjes së vendit të punës, shtatëzanisë e lindjes së fëmijut, në rast të sëmundjeve të papritura e pleqërisë, të jetë nën përkujdesin e shtetit e shoqërisë; të gëzojë të drejtën, qysh në vegjëli, që të ketë qasje në arsim të hershëm e shëndetësi cilësore publike e universale. Qytetarëve të Kosovës, të cilët mbushin mbi 60% të buxhetit të Kosovës, duhet të ju shpërndahet në mënyrë më të barabartë dhe të drejtë vlera të cilën e krijojnë me punën e tyre. Kjo gjë do të bëhet me tatime të reja, si ajo në dividentë dhe trashëgimi, si dhe reformim të tatimeve ekzistuese, si ajo në të ardhurat korporale e të ardhurat personale.

Qytetari i Republikës së Kosovës nuk duhet të trajtohet më si subjekt juridik që regjistrohet në librin e amzës, e as si numër statistikor në tabela Excel-i. Qytetari i Republikës së Kosovës duhet të trajtohet dinjitetshëm në të gjitha rrethanat shtresëzuese të tij; qoftë ajo duke ia lehtësuar stresin financiar e psikologjik apo trajtimin më të barabartë në vendin e punës. Qytetarit të Kosovës i nevojitet një Bazë.