free hit counter Fondi i Sigurimit Social - PSD

PSD do të themelojë një institucion të veçantë të përkujdesjes shoqërore. Fondi i Sigurimit Social do të bëhet mburojë për rreziqet që sjell presioni i tregut. Ky fond do të financohet 5% nga punëtorët dhe 5% nga punëdhënësit.

Konteksti

Shkalla e papunësisë në Kosovë është 26%. Shteti nuk angazhohet për lidhje të tregut të punës me sistemin e edukimit. Papunësia në Kosovë është dyfish më e lartë se në Shqipëri ku është 11,9%.,

79.2% e grave janë jo aktive në tregun e punës. Aksidenti në punë apo edhe një sëmundje si kanceri ia rrezikon punëtorit dhe familjes së tij ekzistencën.

Një jetë e mirë nuk reduktohet me shumën e transaksionit që e merr në formë page. Përditshmëria e një punëtori është ankthi i humbjes së punës dhe zhytja në varfëri; një sëmundje kronike për të vjen e dyfishuar sepse është edhe ndalim i të ardhurave. Një jetë e mirë kërkon një sërë të drejtash që do të ishin bazë për të ardhmen dhe siguri për çdo të papritur.

Ndërhyrja

Çdo qytetar në rast të humbjes së punës do të kompensohet nga shteti.

• Shërbimet e punësimit do të reformohen rrënjësisht dhe volumi i punës do të rritet.

• Punëtori që humb vendin e punës do të kompenzohet me 80% të pagës për 6 muaj.

• Me qëllim të inkurajimit të punësimit të grave, PSD zotohet që pushimi i lehonisë mbulohet nga Fondi i Sigurimit Social, dhe jo nga punëmarrësi. Ai zgjatë 9 muaj. Prindërit mbështeten me 100% të pagës gjatë pushimit 2 javor. Pas dy javëve kompensimi është 500 euro në muaj, edhe për gratë e papuna.

• Pensioni invalidor në rast të aksidentit në punë apo sëmundjes profesionale do të jetë 100% i pensionit të moshës. Pensioni invalidor në rast të aksidentit apo sëmundjes jashtë vendit të punës është 50% i pensionit të moshës.

• 15 ditë pune të pushimit mjekësor brenda vitit i takojnë punëtorit sa 100% e rrogës. 3 muaj të tjerë sa 75% e rrogës, 1 vit pasues sa 50%, dhe më shumë se 1 vit 40%.