free hit counter Tatimi progresiv dhe taksat e mirëqenies - PSD

Tatimi progresiv është një nga instrumentet politike që përdoret për ta zvogëluar pabarazinë që e prodhon procesi akumulues i kapitalit.

Hendeku që krijohet nga procesi akumulues merr formën e konfliktit shoqëror sa herë që shteti qëndron pasiv karshi kësaj dukurie. Emigracioni është po ashtu një formë e reagimit karshi pabarazisë.

Indikatorët e EUROSTAT, qoftë shikuar nga të ardhurat e disponueshme, qoftë hendekun midis shtresave, tregojnë që niveli i pabarazisë në Kosovë është më i larti në Evropë.

Kosova është sui generis sepse është parajsë për të pasurit dhe ferr për të varfrit. Vetëm këtu nuk ka fare tatim në dividentë dhe tatim në trashëgimi. Aty ku ekziston tatimi, ai është i sheshtë, pra pa konsideratë për grupet shoqërore që dallojnë për nga të ardhurat dhe pozita e tyre në shoqëri.

PSD përmes angazhimit të saj politik-programor prezanton një sistem të ri tatimor:

TAKSAT E MIRËQENIES janë taksat e reja që do t’i shtohen sistemit tonë tatimor, bashkë me rishikimin e tatimit në korporata. Ato janë:

1. Tatimi në Dividentë;

2. Tatimi në Trashëgimi;

3. Tatimi në të Ardhurat Korporative.

TATIMI NË DIVIDENDË

Dividenda është fitimi i nxjerrur nga qarkullimi ekonomik pas përfundimit të xhiros vjetore. Pasi kryhen investimet, pagat dhe të gjitha shpenzimet e tjera të kostos, mbetet dividenda – fitimi i pastër i pronarit që del nga ekonomia dhe kryesisht shkon jashtë vendit dhe në shpenzime luksi.

Tatimi në dividendë sipas programit tonë do të jetë 33%.

TATIMI NË TRASHËGIMI

Trashëgimia është mal me mundësi për dikë, dhe gropë e thellë e pamundës së për dikë tjetër. Ajo e pamundëson mobilitetin social, shtresat e klasat i bën kasta. Ndryshe nga vendet gjithandej botës, në Kosovë nuk paguan taksë në trashëgimi askush. Vit pas viti, gjeneratë pas gjenerate, familjet e pasura mbeten të pasura, të varfërat nuk e kanë as shansin. Hendeku mes atyre që kanë pronë dhe atyre pa pronë duhet të zvogëlohet.

Fati yt nuk duhet të jetë prejardhja, por ekzistenca bashkë me të tjerët si pjesë e një kontrate shoqërore.

Propozimi i PSD-së për Tatimin mbi Trashëgiminë:

SHKALLËT NORMA VLERA QË TATOHET TATIMI
€ 25,000 0% € 25,000 € –
€ 75,000 8% € 50,000 € 4,000
€ 125,000 14% € 50,000 € 7,000
€ 175,000 20% € 50,000 € 10,000
€ 225,000 26% € 50,000 € 13,000
€ 275,000 32% € 50,000 € 16,000
€ 325,000 38% € 50,000 € 19,000
€ 375,000 44% €-

TATIMI NË TË ARDHURAT E KORPORATAVE

Rritja e ndjeshme e kësaj forme tatimore përmbyll taksat e mirëqenies. Tatimi në të ardhurat e korporatave në Kosovë është ndër më të ulëtit në Evropë. Vetëm 4% e buxhetit kombëtar sot mbushet nga ky tatim. Sipas rregullimit aktual, ata që përfitojnë më shumë nuk i kthejnë asgjë shoqërisë. Kjo do të ndryshojë!

Tatimi në të Ardhurat e Korporatave, nga 10% sa është aktualisht, do të bëhet 23%. Biznesit të vogël dhe të mesëm nuk do t’i ndryshohet norma tatimore.

TATIMI NË TË ARDHURAT PERSONALE

Tatimi në të Ardhura sot është i sheshtë. Për pjesën e pagës që kalon 450 euro paguajnë 10%, njëjtë sikur mësuesi, ashtu edhe drejtori i një banke. Me skemën tonë, rreth 80% e të punësuarve do të paguajnë më pak tatim. Më pak do të paguajnë të gjithë ata që kanë pagë bruto deri në 750 euro.

Të punësuarit me pagë më të lartë se 750 euro do të paguajnë më shumë tatim në pagë. Paga minimale do të jetë 300 euro. Ai që merr pagë 300 euro nuk duhet të ngarkohet në kontribute. Shumat mbi 300 euro do të fillojnë të tatohen në mënyrë progresive në mënyrë që ata që përfitojnë më shumë të paguajnë më shumë.

Propozimi i PSD-së për Tatimin mbi të Ardhurat Personale:

0€ – 300€ 0%
300€ – 450€ 4%
450€ – 600€ 10%
600€ – 750€ 20%
750€ – 900€ 24%
900€ – 1700€ 28%
1700€ 32%